Facebook regjistron firmën e re të teknologjisë financiare në Zvicër

Gjiganti i rrjeteve sociale Facebook, duket se ka formuar një firmë të re të teknologjisë financiare.

Sipas të dhënave të Regjistrit Tregtar të Gjenevës, Libra Networks LLC është regjistruar në Zvicër më 2 maj nga Facebook Global Holdings II LLC.

“…shërbime në fushat e financës dhe teknologjisë, zhvillimi i softuerëve dhe infrastrukturës përkatëse, në veçanti në lidhje me aktivitetet investuese, funksionimin e pagesave, financimin, menaxhimin e identitetit, analizën e të dhënave, blockchain dhe teknologji të tjera”, thuhet në kërkesën zyrtare për regjistrim të kompanisë, përcjell Telegrafi.

Facebook regjistroi brendin “Libra” me Zyrën e Patentave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në muajin qershor 2018, e cila thuhet se ishte pjesë e projektit të fshehtë për kriptovaluta. Gjithashtu, kompania ka angazhuar dy ekspertë të kriptovalutave të cilët më parë kanë punuar në Coinbase.