Lami Balaj tregon sa punëtorë të PTK-së janë larguar nga puna në dy javët e fundit

Lami Balaj, nga Sindikata e Pavarur e PTK-së, ka folur edhe për pakënaqësitë e punëtorëve në lidhje me Ligjin për Paga.

Ai ka treguar se kanë marrë sinjale nga ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, që thotë se Ligji për Paga nuk duhet të zbatohet për pagat e punëtorëve të Telekomit.

“Ne kemi qenë kundër prej fillimit që të futemi në këtë ligj. Arsyeja pse nuk duhet të jemi pjesë e Ligjit për Paga është se jemi kompani me konkurrencë në treg. Dhe sot, neve na kalon konkurrenca me paga”, ka thënë Balaj. “Nëse ne duam që të jemi në hap me konkurrencën duhet të kemi parasysh se pjesa më e madhe e inxhinierëve dhe ekspertëve do të kalojnë te konkurrenca”, ka thënë ai më tej.

Balaj ka thënë se Ndërmarrjet Publike vetfinancuese nuk duhet të hyjnë në këtë Ligj për Paga.

“Përjashtimin e PTK-së nga Ligji për Paga duhet ta bëjë ministri Mahir Yagcilar, që duhet të ulet bashkë me akterët e tjerë dhe të vendosë për një gjë të tillë”, ka thënë Balaj, ka deklaruar ai në interaktiv të KTV-së.

Tutje Balaj ka treguar se rreth 140 kontrata mbi vepër të nënshkruara me punëtorë në muajt e fundit janë shkëputur në dy javët e fundit.

“Janë shkëputur kontratat mbi vepër. Mua më ka ardhur keq kur kanë ardhur, sepse e kam ditur se çfarë do të ndodhë me ta. Por para 2 javësh janë shkëputur kontratat e rreth 140 personave”, ka thënë ai.

Ai nuk ka pranuar që të flasë me emra të personave që u janë shkëputur kontratat, por ka thënë se është fjala për punëtorë të ardhur në muajt e fundit.

“Unë nuk mund të flasë se janë emra të familjarëve të politikanëve a kush janë. Ne në fakt prej medieve i kemi mësuar emrat edhe të atyre kur janë pranuar. Është vendim i Bordit që të shkëputen kontratat dhe ashtu ka ndodhur”, ka thënë Balaj.